KTHEHU NË FAQEN E AKTUALITETIT

TË GJITHA PYETJET

Unë banoj në një shtëpi të ndërtuar në vitin 1977: a përmban ajo amiant? Çfarë rrezikoj nëse përmban amiant?

a. A përmban amiant?

Ka probabilitet të lartë që amianti të jetë i pranishëm në të gjitha ndërtimet e përfunduara përpara vitit 1991. Në rast se kërkon të bësh punime, është e nevojshme të bëhet një “diagnostikim përpara punimeve” i pronës, për të qenë i sigurt mbi praninë ose jo të amiantit dhe për të shmangur intoksikimin.

b. Çfarë rrezikoj nëse përmban amiant?

Gjatë përdorimit normal të banesës (për sa kohë jetohet pa bërë punime) dhe nëse materialet nuk janë vjetruar, nuk ka asnjë rrezik ekspozimi. Në rastin kur ju dyshoni për prani në amiantit në materiale të vjetërsuar apo edhe për të përjashtuar çdo rrezik, kërkoni kryerjen e “diagnostikimit për përdorim normal” nga një kompani e miratuar. Punimet e kryera pa masa paraprake shkaktojnë pluhur dhe i ekspozojnë punonjësit dhe banorët ndaj fibrave të amiantit. Është tepër i nevojshëm realizimi i një diagnostikimi përpara të gjitha punimeve dhe, në rast pranie, të bëhet pastrimi i elementëve të amiantit që ndodhen në zonën e prekur nga punimet.

A është i detyrueshëm diagnostikimi nëse punimet e parashikuara nuk kanë të detyrueshme marrjen e lejes së ndërtimit?

Po, për sa kohë është e pamundur të përjashtohet mundësia e pranisë së amiantit në materiale, pa bërë një “diagnostikim përpara punimeve”. Është e vetmja mënyrë për të identifikuar rrezikun dhe për të evituar ekspozimin e personave ndaj fibrave të amiantit (kjo për ndërtesat e përfunduara përpara vitit 1991). 

Në veçanti, a mund të çmontojë dikush pllaka çimentoje me fibra, i vetëm?

Po. Mundet të çmontohen pllaka çimentoje me fibra, sipas kushteve të mëposhtme:

  • Materialet duhet të jenë në gjendje të mirë dhe jo të dëmtuara.
  • Duhet të respektohen praktikat e duhura të sqaruara për shembull në broshurën tematike të SUVA-s (shiko. 33.031.f). Informacione mbi pajisjet mbrojtëse, çmontimin e pllakave, pastrimin dhe asgjësimin, sqarohen në këtë dokument.
Dua të vendos panele diellore mbi çatinë e një hambari (kërkon leje ndërtimi). A është i nevojshëm vërtetimi i substancave të rrezikshme dhe kryerja e “diagnostikimit përpara punimeve”?

Po, nëse ndërtesa është përfunduar përpara vitit 1991 dhe punimet prekin materialet të vjetra. Marrja e vërtetimit mbi substancat e ndaluara është detyrim, si dhe realizimi i diagnostikimit përpara punimeve. 

A është një diagnostikim amianti i detyrueshëm në kuadrin e një marrëveshjeje tregtare në Gjenevë?

Jo, në Zvicër diagnostikimi nuk është i detyrueshëm për negociata me natyrë tregtare si shitja apo qiradhënia.   Gjithsesi, realizimi i një diagnostikimi përpara transaksionit tregtar, mund të jetë i nevojshëm në kuadër të negociatave.

Çfarë bën eksperti gjatë diagnostikimit?

Në momentin e diagnostikimit, një ekspert dallon materialet që mund të përmbajnë amiant, PCB dhe/ose plumb. Ai merr kampione, duke bërë kujdes për të mos e ekspozuar apo ndotur lokalin dhe i dërgon në laborator për t’i analizuar. Ai harton një raport sqarues për analizat ku tregon saktësisht zonat të cilat kanë përmbajtje substancash të rrezikshme, në të cilat duhet të kryhet pastrim apo të merren masa të veçanta.   

Në shtëpinë time do të kryhen punime

Nëse jeni qiramarrës dhe në banesën tuaj do të bëhen punime? A e dini se e cilit vit është banesa/shtëpia juaj? Ju mund të pyesni nëse në banesën tuaj është kryer një analizë për amiant/PCB/plumb. Ju mund të informoheni nga administratori apo pronari. 

Unë banoj në një apartament të viteve 1980 në të cilin u konstatua një rrjedhje uji. Një kompani e dërguar nga administratori, kreu riparime në banjën time të cilat prodhuan pluhur në banesën time, për shkak të thyerjes së një pjese të pllakave.

a. Cilat janë rreziqet për shëndetin tim dhe të familjes sime?

Ne nuk mund të përjashtojmë praninë e amiantit, pa bërë analiza, për sa kohë ndërtesa i takon periudhës përpara vitit 1991. Nëse ngjitësi i pllakave ka pasur përbërje amianti, nga këto punime janë çliruar fibra amianti. Rreziku për shëndetin shtohet me ekspozimin ndaj fibrave të amiantit. (përjashtohet mundësia që punëtori i pllakave të ketë marrë masat e nevojshme? A veproi ai si pjesëtar i një kompanie të specializuar?)

b. Çfarë duhet t’i komunikoj administratorit të pallatit tim?

Shërbimi i toksikologjisë në ndërtim i Shtetit të Gjenevës do të kontaktojë me administratorin tuaj, për të përcaktuar hapat e mëtejshëm në këtë situatë (nëse është realizuar një diagnostikim përpara punimeve, praninë e amiantit, dekontaminimin e banesës).

Cilat janë kushtet minimale që duhet të plotësojë një kompani, e cila siguron pastrimin nga amianti, për të qenë e autorizuar të punojë edhe në Gjenevë?

Kushtet minimale të nevojshme për të qenë e autorizuar të punojë në Gjenevë:

  • Kompania duhet të jetë e regjistruar në SUVA
  • Kompania duhet t’i referohet “direktivës për pastrimin e amiantit”, së STEB (shiko bazën ligjore në www.ge.ch).
A i kontrollon STEB-i sistematikisht kantieret?

STEB-i i kontrollon kantieret më sistematikisht, përpara nisjes së punimeve. Kantieret e kontrolluar përzgjidhen në funksion të kritereve që imponon ambienti përreth, sipas tipologjisë së kantierit, natyrës së punimeve. STEB-i ndërhyn edhe nëpërmjet ankesave të regjistruara.